• September 28, 2020

ISA MUSTAFA GODET VJOSA OSMANIN: LDK-JA NUK FUNKSIONON ME LOGJIKËN E NJËJTË SIKURSE TË SAJ

May 26, 2020

Isa Mustafa ka kritikuar qasjen e Vjosa Osmanit në raport me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Duke komentuar deklaratat e nënkryetares së LDK-së në lidhje me situatën e saj brenda partisë, kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se asnjë funksionar i partisë nuk mund të veprojë me qasje vetjake.

Mustafa ka deklaruar sot për Gazetën Express se LDK-ja funksionon vetëm me mirëkuptim mes anëtarëve dhe solidaritet të brendshëm.

“LDK është një organizim vullnetar i njerëzve që kanë përqafuar një ide politike të qendrës së djathtë, që funksionon me rregulla të formuluara në Statutin e LDK-së. LDK nuk funksionon me logjikën e misionarëve, ‘unë dhe populli’; ‘unë dhe zoti’, por me mirëkuptim dhe solidaritet të brendshëm. Prandaj, fuqia jonë qëndron në besimin në LDK dhe në respektimin e LDK-së”, ka thënë Mustafa, në një reagim ndaj deklaratave të Vjosa Osmanit.

Diskursi në publik i Vjosa Osmanit, tash e një kohë përmban raportin e saj me qytetarët e Kosovës. Të hënën, Osmani tha se vetëm qytetarët e Kosovës mund t’ia tregojnë asaj derën kur u pyet për mundësinë që LDK-ja t’ia tregojë asaj derën.

“Derën mund të ma tregojnë vetëm qytetarët e Kosovës. Janë ata që më kanë sjell deri këtu”, tha Osmani në Pressing.

Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka thënë se figura të caktuara brenda partisë janë ankuar për të tek Shtëpia e Bardhë, si dhe tek Partia Popullore Evropiane [EPP],

“Kemi figura të caktuara që dërgojnë prapa shpinës thika sepse kjo nuk i takon LDK-së sepse nuk mund të bëhet LDK si partitë tjera. Ta zëmë, hic në raport me VV-në që ka qenë në koalicion, në raport me mua si kryetare e Kuvendit, si nënkryetare e LDK-së”, tha ajo.

Osmani ka shtuar tutje se në EPP, sipas saj u ankuan se i kanë humbur zgjedhjet pikërisht për shkak të saj.

“Përderisa akoma ishte koalicioni gjallë kishte zyrtarë të LDK-së që i dërgonin letra administratës amerikane, EPP-së për mua, ku thuhej se ajo nuk ka qëndrime për këtë cështje ose atë cështje. Ose së fundi EPP-së i thanë i kemi humbur zgjedhjet shkaku i Vjosa Osmanit”, ka thënë Osmani. /Insajderi.org