Lajme

Nevojiten 700 milionë euro për fondin për rimëkëmbje: Gjithçka që ndodhi në mbledhjen e sotme të Qeverisë Hoti

Qeveria e drejtuar nga Avdullah Hoti sot ka mbajtur mbledhjen e radhës ku janë diskutuar disa pika. Ndër to, ka qenë edhe rishikimi i buxhetit për vitin 2020 që është shtyrë për nesër, marrja e Kredive të reja, hapja e disa pikave kufitare me vendet fqinje si dhe rimëkëmbja ekonomike e dialogu me Serbinë


Në mbledhjen e cila filloi nga ora 11:00, Kryeministri Avdullah Hoti ka vendosur që të shtyhet për nesër rishikimi i buxhetit për vitin 2020.

I pari i ekzekutivit të ri të vendit shtoi se nevojiten edhe plot 700 milionë euro për të krijuar fondin për rimëkëmbje ekonomike.

“Për shtyrjen të buxhetit, këtë pikë e kemi shtyrë për nesër sot gjatë ditës pres që të finalizuar buxheti dhe keni kohë deri nesër që ta shihni. Ministrja duhet të bëjë angazhim që të jetë deri në 700 milionë euro dhe për të krijuar fondin për rimëkëmbjen ekonomike”, ka thënë ai.

Ndër të tjera, Ministrja e Financave, Hykmete Bajramit ka konfirmuar se do të dërgojë tek Presidenti kërkesën për autorizim për nënshkrimin e marrëveshjes së Kredisë me Bankën Botërore, shkruan Gazeta Metro.

Ajo gjatë mbledhjes tha se kjo bëhet për financimin e ‘Projektit emergjent Covid-19 për Kosovën’ dhe se kredia do të jetë pesë vjeçare, e që do të mbulojë edhe familjet që nuk kanë asnjë të ardhur.

“Pjesa e kredisë do t’iu adresohet pakos emergjente të mbetur dhe familjeve që nuk kanë asnjë të ardhur dhe mbulimin e shpenzimeve. Kjo kredi do të jetë 5 vjeçare”, tha ajo.

Tutje në këtë mbledhje Qeveria e Kosovës ka aprovuar Planin e Punës për vitin 2020 si dhe planin Indikativ të Punës së Qeverisë për vitet 2021-2022, shkruan Gazeta Metro.

Për Qeverinë Hoti, fokus gjatë kësaj kohe do të mbetet rimëkmëbja ekonomike si dhe procesi i dialogut me Serbinë.

“Plani i punës përmban 11 prioritete, 58 objektiva dhe 126 projektligje. Prioriteti për menaxhimin e pandemisë me pas rimëkëmbja ekonomik, plani zhvillimor ekonomik, dialogu me Serbinë, shëndetësia, bujqësia, minierat, mbrojtja sociale, sporti e të tjera në përputhje me Kuvendin”, ka thënë kryeministri.

Me kërkesë të ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, Qeveria e Kosovës ka votuar që më 22 qershor të hapen edhe pikat kufitare në Qafë Prush, Qafë Morinë, Muçibabë e Mutivodë, shkruan Gazeta Metro.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, gjatë prezantimit të tij, ka kërkuar që ky vendim të hyjë në fuqi menjëherë dhe i cili do të fillojë të zbatohet më 22 qershor.

Sipas Zemajt, kjo kërkesë për ndryshim është bërë për shkak të fluksit të qytetarëve.

“Kërkesa e MSH’së konsiston të plotësohet të ndryshohet pika e pestë e qeverisë në të cilën ne paraprakisht kishim përcaktuar pikat kufitare që u hapën më parë dhe është parë e domosdoshme që për shkak të fluksit të madh i qytetarëve që të hapen edhe pikat e tjera, Qafë Prush, Qafë Morinë, Muçibabë e Mutivodë. MSH’ja parasheh që gradualisht të hapen edhe pikate  tjera kufitare.  Ajo çka kisha dashur që ju kisha lutur që të jetë e përcaktuar që ky vendim të hyjë në fuqi më 22 qershor të këtij viti”, ka thënë Zemaj.

Po ashtu, ky i fundit sot në mbledhje prezantoi edhe manualin për masa kundër koronavirusit, i cili do të shpërndahet nëpër institucione publike dhe private.

Kujtojmë se ditëve të fundit në vendin tonë ka pasur rritje të rasteve me koronavirus, ku për pak ditë janë shënuar afër 200 të infektuar.

Kjo rritje ka ndodhur me rastin e lehtësimit të masave të kufizimit, ky qytetarëve nga 1 qershori u është lejuar dalja pa orar si dhe është bërë hapja e kafeneve./gazetametro.net

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Most Popular

Blej online nga shtëpia

Pjesë për vetura

Auto Bartje 24/7

Copyright © 2020 LYRICS.AL.

To Top