• March 8, 2021

Vëllai i deputetit të VV’së: Për 1 mijë testet e Serbisë s’mbeti medium e analistë pa u kryllav e perqyrrav

Jun 21, 2020

Sami Uka, zyrtar në Ministrinë e Shëndetësisë, këshilltar për një kohë të shkurtër i Qeverisë së shkarkuar Kurti, është ankuar pse mediat s’po i japin më shumë jehonë mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Veri të Kosovës.

Uka, i cili është edhe vëllai i deputetit të VV’së, Fitim Uka, ka thënë se për testet e dhuruara të Serbisë për Kosovën ka pasur shumë reagime. Ka folur me gjuhë përçmuese për gjithë ato media e analistë që kanë reaguar për një mijë testet e dhuruara të Serbisë në kohën kur Qeverinë e udhëhiqte Albin Kurti.

“Për 1000 RT-PCR teste të dhuruara nga Serbia nuk mbet medium as analist pa u krrylav e përqyrrav nëpër studio e kudo ku arritën duke shitur patriotizëm romantik dhe profesionalizëm odash”, ka shkruar Uka, në Fb.

Pastaj ka vazhduar me ankesat për zgjedhjet serbe në Kosovë.

“Tash për zgjedhjet e Sërbisë në Kosovë – madje në kohë pandemie kur zgjedhjet vendore kosovare nuk lejohen, i kan shti veshtë në lesh dhe zani nuk po iu dëgjohet. Me siguri kan ikë me pushime pas fushatës intensive mbi katërmujore, të orkestruar dhe paguar mirë, për rrëzimin e Qeverisë Kurti! Nuk e kishin lehtë dhe i kuptojmë. Pare kanë ba për një kohë dhe e din që shpejt do t’iu duhet t’i kthehen “zanatit” dhe “detyrës patriotike” sepse populli nuk fle dhe maskat kanë rënë. Jo pse janë mediat apo ata vet të kapur, por sepse ata janë të fushës dhe këtê punë kanë…thash po thom, për veti e kan! Me nder me thanë…”, ka shkruar ai.

Albin Kurti mbajti pozitën e Kryeministrit më pak se dy muaj, që është qëndrimi më së shkurti në pozitën më të lartë Qeveritare, prej përfundimit të luftës.  Kjo pasi 2/3 e deputetëve shkarkuan Qeverinë VV-LDK për t’i hapur rrugë Qeverisë së re të udhëhequr nga Kryeministri i Republikës, Avdullah Hoti.