• March 2, 2021

Hoti as që e përmend Lajcakun: Të enjten shkoj në Bruksel për të folur për vizat

Jun 22, 2020

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti është deklaruar rreth takimit të tij në Bruksel më 25 qershor


Duke mos e përmendur askund të dërguarin special të BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Hoti ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, se në këtë udhëtim do të takohet me Kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Kryetarin e Këshillit të Evropës, Charles Michel, Komisionerin për Zgjerim, Oliver Varhelyi, dhe Kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian dhe Nënkryetarin e EPP, David McAllister.

Me ta do të diskutojë në lidhje me hapat të cilat do t’i ndërmarrin në luftën kundër Covid-19, për mbështetjen e KE’së për rimëkëmbjen ekonomike, dhe për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës, process ky për të cilin Hoti thotë se është proces i cili ka shënuar ngecje por jo për shkak të mospërmbushjes së standardeve nga ana e Kosovës.

“Si Kryeministër i Kosovës, më 25 qershor në Bruksel takohem me Kryetaren e Komisionit Evropian, znj. Ursula von der Leyen, Kryetarin e Këshillit të Evropës, z. Charles Michel, Komisionerin për Zgjerim z. Oliver Varhelyi, dhe Kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian dhe Nënkryetarin e EPP, z. David McAllister.

Do të bisedojmë për: (1) hapat që kemi ndërmarrë në luftën kundër COVID-19, (2) për mbështetjen nga ana e KE për rimëkëmbjen ekonomike, si dhe (3) për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës, proces i cili ka ngecur jo për shkak të mos përmbushjes së standardeve nga ana e jonë.

Nga Brukseli do të udhëtoj për Washington, ku më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë nisim dialogun për njohje reciproke, fillimisht me një agjendë të fuqishme të zhvillimit ekonomik”, ka shkruar ai në Facebook. /gazetametro.net