• March 2, 2021

Takim i nxituar për dialogun, Hoti shkon në Bruksel pa agjend

Jun 22, 2020

Dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës i lehtësuar nga Bashkimi Evropian pritet të rifillojë të enjten në Bruksel.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti do të marrë pjesë në këtë takim, i cili do të mbahet me 25 qershor në Bruksel, vetëm dy ditë para takimit në Uashington të thirrur nga i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donal Trump, Richard Grenell, konfirmojnë burime të lajmi.net.

Ndërkohë, ende nuk ka konfirmim kush do të jetë përfaqësuesi i Beogradit zyrtar.

Vazhdimi i dialogut në Bruksel, pason vizitën e përfaqësuesit të posaçëm BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak në Prishtinë dhe Beograd.

Lajçak tha në Prishtinë javën e kaluar se ai i dinte datat e dialogut, por se ai do t’i bënte publike ato pas konsultimit me palët.

Se BE-ja është duke u nxituar që të organizojë sa më shpejtë një takim në kuadër të dialogut, dëshmon edhe vizita që Miroslav Lajçak i ka bërë të hënën Beogradit, vetëm një ditë pasi atje u zhvilluan zgjedhjet të cilat bindshëm i fitoi partia në pushtet e presidentit Aleksandar Vuçiq duke e bërë Serbinë një shtet praktikisht pothuajse pa opozitë.

Ky raund i bisedimeve në Bruksel do të shënojë rifillimin zyrtar të dialogut, i cili është pezulluar në nëntor të vitit 2018 për shkak të vendosjes së taksës prej 100 përqind të mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnje dhe Hercegovinën nga ish qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

Taksa u shfuqizua më pas, sikurse edhe masat e reciprocitetit që u vendosën nga qeveria e ish-kryeministrit Albin Kurtit.

Ndryshe, ka qenë Richard Grenell i cili ka bërë të ditur se dialogu i ndërmjetësuar nga SHBA do të rinis me 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë /Lajmi.net/