Lajme

Infektiva e stërmbushur me pacientë, Mehmeti: Situata më e rëndë që prej kur nisi pandemia

Java që e lamë pas ka qenë më e rënda sa i përket rasteve me koronavirus në Kosovë. Për shtatë ditë janë regjistruar afërsisht 700 raste duke bërë kështu që të rritet edhe fluksi i atyre që kërkojnë trajtim në Klinikën Infektive.

Infektologu Murat Mehmeti ka thënë në Edicionin Special në Klan Kosova se situata në këtë klinikë nuk ka qenë asnjëherë më e rëndë, që prej fillimit të pandemisë.

“Në fakt, në klinikën tonë që nga fillimi i pandemisë asnjëherë nuk kemi pasë numër më të madh të pacientëve. Fakti që tanimë numri ka arritur gati në 100 në klinikë nënkupton që është një numër shumë i madh i pacientëve, ku pothuajse gjysma e tyre janë në oksigjenoterapi gjë që tregon se janë pacientë që kanë pamjaftueshmëri mushkërore”.

“Të gjithë këta pacientë që kanë nevojë për oksigjenoterapi shumë lehtë mund të ndodhë që edhe të bëhen pacientë potencialë për respiratorë. Është situatë mjaft e rëndë, deri tani më e rënda prej që ka filluar pandemia dhe është bukur e vështirë për t’u menaxhuar”.

Mehmeti ka treguar se gjashtë pacientë janë në gjendje kritike, derisa ka shtuar se mjekimi intensiv në këtë klinikë nuk ka më kapacitet për pranim të pacientëve të rinj.

“Numri i të shtrirëve në Klinikën Infektive është gati te 100 – numër shumë i madh. Në gjendje kritike i kemi gjashtë pacientë, që të gjithë të shtruar në Mjekimin Intensiv të klinikës tonë. Kapacitetet e mjekimit intensiv janë të stërmbushura”.

Kur Klinika Infektive është e mbingarkuar, çfarë do të ndodhë me pacientët e rinj – ata që janë të dyshuar ose ata që rezultojnë pozitiv? A do të dërgohen në klinika të tjera?

“Klinika e Pulmologjisë, për aq sa kam informata, është e mbingarkuar ku tani më po dërgohen rastet e dyshimta dhe nëse rezultojnë pozitive udhëzohen te ne. Pak më parë na kanë arritur tre raste nga Klinika e Pulmologjisë që kanë rezultuar pozitive”.

“Ndoshta do të duhej të fillohet të mendohet që edhe spitalet rajonale të fillojnë të merren me këta pacientë, sepse nëse vazhdon ky trend dhe fluks i pacientëve ne nuk do të kemi kapacitete infrastrukturore, infermierore dhe mjekësore”.

Infektologu Mehmeti e ka përmendur mungesën e infermierëve si një problem shumë të madh në menaxhimin e situatës me pandeminë, që së fundmi është rënduar shumë.

“Kemi mungesë të infermierëve ku përderisa një repart ka deri në 20 pacientë ndodh që e ka vetëm një infermiere që është e pamundur ta menaxhojë situatën me gjithë këtë pacientë”.

“Është apeluar tek të gjithë infermierët e klinikave të tjera që të na vijnë në ndihmë të cilët edhe kanë filluar të vijnë, por edhe më tutje kemi nevojë shumë të madhe për infermierë – ashtu sikur edhe ne mjekët jemi në numër të vogël dhe është e vështirë ta menaxhojmë këtë situatë”.

Ai në fund ka apeluar te qytetarët që të respektojnë rekomandimet e ekspertëve shëndetësorë, duke thënë se “ky virus nuk është rrenë”.

“Dua t’iu bëj apel qytetarëve, sepse jo rrallë po dëgjoj edhe nga fytyrat publike, që ky virus është rrenë dhe politikë. Ky virus është realitet. Ky virus po shkakton vdekje. Një realitet tjetër është që për këtë virus nuk ka asnjë bar në botë që e sulmon në mënyrë direkte. Arma më e fuqishme edhe më tutje mbetet distancimi fizik, mbajtja e maskave dhe higjiena personale”.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Most Popular

Blej online nga shtëpia

Pjesë për vetura

Auto Bartje 24/7

Copyright © 2020 LYRICS.AL.

To Top