• February 28, 2021

​Ambasada e Amerikës kundër ligjit për vlerat e UÇK’së

Jul 29, 2020

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë është shprehur kundër nismës së Partisë Demokratike të Kosovës rreth ligjit për mbrojtjen e vlerave të Luftës së UÇK’së, shkruan Gazeta Metro.

Ambasadori Philip Kosnett ka thënë se ligji i propozuar është mënyrë e gabuar për të treguar respekt për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Ligji e kriminalizon lirinë e shprehjes, frikëson qytetarët dhe është i kushtueshëm. Ligji largon nga përpjekjet praktike për ta kuptuar dhe mësuar historinë e Kosovës. Kur do t’i shohim partitë që të rifokusojnë energjitë e tyre në ekonomi dhe në COVID-19?”, ka shkruar diplomati amerikan në një postim në Twitter.

Projektligji në fjalë parasheh përcaktimin e obligimit institucional dhe qytetar për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së.

Vlerë e luftës, sipas këtij projektligji, është lufta e armatosur e popullit të Kosovës, e udhëhequr nga UÇK, vetë UÇK-ja si formacion ushtarak i armatosur, veterani i UÇK-së, flamuri, betimi i ushtarit, stema, Shtabi i Përgjithshëm, Drejtoria Politike, Shtabet e zonave operative, arkiva, si dhe Kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe komplekset tjera.

Projektligji parasheh respektimin e vlerave të luftës, mbrojtje institucionale, Muzeun e Luftës, Ditën e përkujtimit të luftës për çlirim, dispozitat ndëshkimore, si dhe aktet nënligjore.

Në rast se projektligji aktual për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së miratohet në Kuvendin e Kosovë, si ligj do të ketë implikimet buxhetore prej 2 milionë e 250 mijë euro, pa llogaritur investimet për ndërtimin e Muzeut të Luftës.//gazetametro.net