• August 15, 2020

Lajm i mirë : BE-ja mbështet Kosovën me afër 10 milionë euro

Jul 29, 2020

Një shumë prej 9,985 milionë eurosh të fondeve të asistencës për mbështetje të buxhetit të dhëna nga Komisioni Evropian janë disbursuar në Thesarin e Kosovës.

Disbursimet e bëra kanë të bëjnë të lidhura me standardet e dakorduara lidhur me reformat në administratën publike dhe në menaxhimin e financave publike.

Mbështetja e BE-së për Reformën e Administratës Publike dhe Menaxhimin e Financave Publike shpërblen progresin që e bën qeveria në zbatimin e strategjive të saj dhe në arritjen e synimeve të dakorduara ndërmjet BE dhe qeverisë së Kosovës.

BE është duke punuar me qeverinë e Kosovës në këto reforma që nga dhjetori i vitit 2017. Për ta çuar këtë përpara, qeveria tani duhet të përshpejtojë dinamikën e reformave.

Në veçanti, Komisioni pret që qeveria të mbetet e përkushtuar për zbatimin e paketës legjislative të Reformës së Administratës Publike dhe për hapat e nevojshëm për përmirësimin e llogaridhënies së agjencive të pavarura, të vazhdojë me politikat makroekonomike të orientuara drejt stabilitetit dhe të rris transparencën, veçanërisht sa i përket shfrytëzimit të fondeve buxhetore dhe proceseve të prokurimit publik.

Kjo mbështetje e BE-së po ashtu do të ndihmojë Kosovën edhe në luftimin e pandemisë COVID-19 dhe ndikimit të saj në ekonomi dhe financa publike.