• August 15, 2020

Ekskluzive: Kështu vjen oksigjeni nga Serbia në Kosovë, përdoret për pacientë me COVID-19

Jul 31, 2020

Oksigjeni për pacientët të cilët janë të shtrirë në QKUK si pasojë e Covid-19, po vjen nga Serbia. Këtë e dëshmojnë edhe pamjet që janë xhiruar sot në Mitrovicë dhe që janë siguruar nga Metro. 


Që nga dita e premte, më 13 mars, Kosova ka hyrë në listën e shteteve, qytetarët e të cilave janë infektuar me COVID-19. Nga ajo ditë e deri më sot janë prekur 8.330 persona dhe janë shëruar 4.578. Ndërsa si pasojë e koronavirusit në Kosovë kanë vdekur 227 persona.

Klinika Infektive në QKUK aktualisht është e mbushur nga pacientë me koronavirus dhe një numër i madh i tyre kanë nevojë për oksigjeno-terapi apo edhe respiratorë.

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) ndonëse nuk ka edhe shumë respiratorë, oksigjeni është duke e blerë nga Serbia.

Metro ka siguruar një video nga Mitrovica, ku atje një kamion shihet i mbushur me boca të oksigjenit dhe që është nisur në drejtim të Prishtinës.

ShSKUK në mars të këtij viti ka blerë mbi 160 mijë litra oksigjen me origjinë nga Serbia, ku edhe ka lidhur kontratë me kompaninë ‘Medica’ Sh.P.K. në vlerë prej 320,957.68 euro.

Në kontratën që është publikuar më herët në media, thuhet që ShSKUK do të furnizohet me 104,378 litra Oksigjen (Inhalim) dhe me 60,672 litra Oksigjen (Inhalim për përdorim të menaxhimin e hipoksisë), transmeton Gazeta Metro.

Sipas kontratës, ky furnizim do të jetë për nevoja të shërbimit spitalor dhe për spitalet regjionale.

Më poshtë keni videon e xhiruar sot. /gazetametro.net