• December 4, 2020

Kush i solli dosjet, a po hetohet personi misterioz që po i shpërndan materialet e Speciales?

Sep 17, 2020

Në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), sërish gjatë së mërkurës janë dërguar dosje të Dhomave të Specializuara të Prokurorisë të Hagës.

Më 7 shtator, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, përmes një konference, pretendoi se ka mbi 4 mijë dosje të Gjykatës Speciale, pasi i ato ishin dorëzuar në mënyrë anonime zyrës së kësaj organizate.

Dosje të njëjta janë dorëzuar në këto zyre edhe më 16 shtator, e që gjatë së enjtes janë konfirmuar që këto dosje i përkasin Gjykatës Speciale.

Lidhur me këtë, lajmi.net ka kërkuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar nëse janë duke u hetuar këto dosje apo nëse është intervistuar ndonjë person, mirëpo nga kjo zyrë nuk kanë komentuar asgjë.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk komenton këtë çështje”, ka thënë shkurt për lajmi.net, Christopher Bennett, zëdhënës i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Në anën tjetër, Prokuroria Speciale e Kosovës edhe një herë ka ripërsëritur qëndrimin e tyre se janë të gatshëm që të asistojnë në këtë çështje në rast se kërkohet një gjë e tillë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

“Aktualisht, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë është duke e hetuar këtë çështje. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, është e gatshme të asistojë, nëse diçka e tillë kërkohet. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton publikun që zbulimi i paautorizuar i dokumenteve konfidenciale ose informacionit lidhur me dëshmitarët e mbrojtur nënkupton shkelje të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe mund të jetë e dënueshme me dënim me burgim”, thuhet në përgjigjen e dhënë për lajmi.net.

Theksojmë, se gjatë së enjtes avokati Tomë Gashi, i cili edhe është autorizuar nga OVL e UÇK-së në lidhje me këto dosje, ka konfirmuar se dosjet e dorëzuara në zyrat e kësaj organizate i përkasin Gjykatës Speciale. /Lajmi.net/