• September 26, 2020

Tani Thaçi ngrihet kundër Asociacionit, kërkon ta bllokojë dialogun në Bruksel

Sep 17, 2020

Shtatë vjet e pesë muaj pasi vetë e ka nënshkruar marrëveshjen që parasheh krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tani paralajmëron rrezik të madh prej tij.

Të mërkurën Zyra e Presidentit të Kosovës ka lëshuar një komunikatë për media në të cilën paralajmëron se Qeveria e Kosovës ka hyrë në bisedime për “tema të mbyllura”, dhe se në tavolinën e dialogut në Bruksel tani gjenden çështje që rrezikojnë shtetësinë e Kosovës.

Veç kësaj, Thaçi tani ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që të miratojë një rezolutë me të cilën kryeministrit do t’i “ndalohej” negociimi i çështjeve të brendshme të shtetit.

Në komunikatën me shkrim, lëshuar nga Zyra e Presidentit, thuhet se “askush nuk ka mandat që të bisedojë në emër të Kosovës për tema të mbyllura, në Bruksel apo kudo qoftë”.

“Kosova nuk mund dhe me asnjë çmim asnjëherë nuk do të lejojë që brenda territorit të saj të krijohet një entitet politik, i cili do të ishte riprodhim i Republikës Serbe në territorin e Kosovës”, thuhet në komunikatë, e cila qartazi i referohet çështjes së Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Hapja e temave për të drejtat e komuniteteve dhe për Asociacionin e komunave serbe në dialogun e Brukselit është gabim i madh dhe shumë i rrezikshëm i Qeverisë së Kosovës.

Është goditje ndaj shtetësisë dhe cenim i sovranitetit të shtetit tonë. Këto tema janë adresuar dhe zgjidhur në kuadër të Pakos së Ahtisaarit, e cila i parapriu shpalljes së Pavarësisë, por edhe në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit në prill të vitit 2013 dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet ndër tjerash në komunikatën e Presidencës.Reagimit të presidentit Thaçi nuk ka dëshiruar t’i përgjigjet Zyra e Kryeministrit të Kosovës.

Drejtori i Zyrës për Komunikim në Qeverinë e Kosovës, Xhavit Beqiri, ka thënë se në procesin e dialogut Kosova ka hyrë me qëllim të arritjes së njohjes reciproke

.“Iniciativën e presidentit nuk e komentojmë fare. Dialogu me Serbinë për bazament ka Kushtetutën e Republikës së Kosovës. E kjo nënkupton që pavarësia e Kosovës është e padiskutueshme, integriteti territorial i panegociueshëm e i pacenueshëm, si dhe ruajtjen e organizimit të brendshëm kushtetues”, ka thënë Xhaviti përmes telefonit.

Ai ka shtuar se “delegacioni i Kosovës në këtë proces ka hyrë me vetëm një qëllim, arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme, e cila rezultat do të ketë njohjen reciproke mes dy vendeve sovrane, si dhe perspektivën euroatlantike të rajonit”.Përplasja në distancë mes presidentit Thaçi dhe kryeministrit Hoti është vërejtur qysh të martën mbrëma.

Pas shënimit të vitit hebraik, në një deklarim për media, Thaçi kritikoi Qeverinë e udhëhequr nga Hoti për diskutimet në Bruksel.